Mbi përfundimin e procesit të aplikimit për Mbështetje Financiare për vitin akademik 2025–2026
Në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 386, datë 01.06.2022, “Për miratimin e fushave dhe të programeve të studimit që përbëjnë prioritet kombëtar dhe mbështetjen financiare të studentëve të shkëlqyer dhe të studentëve që ndjekin këto programe në institucionet publike të arsimit të lartë”, i ndryshuar me VKM nr. 448, datë 03.07.2024, si dhe të Udhëzimit nr. 30, datë 04.11.2022, të Ministrit të Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL) njofton se ka përfunduar procesi i aplikimit, administrimit dhe verifikimit të aplikimeve për përfitimin e Mbështetjes Financiare për vitin akademik 2025–2026.
Procesi i aplikimit u realizua përmes portalit unik qeveritar e-Albania, në shërbimin elektronik “Aplikim për Mbështetje Financiare”, si dhe nëpërmjet dorëzimit fizik të dokumentacionit nga studentët, për periudhën 22.10.2025 – 20.12.2025.
Në kuadër të këtij procesi, studentët shtetas shqiptarë, të pranuar në institucionet publike të arsimit të lartë për programin e parë të studimit, patën mundësi të aplikonin për përfitimin e Mbështetjes Financiare, nëse plotësonin kriteret e përcaktuara në legjislacionin në fuqi, si më poshtë:
Kategoritë e studentëve përfitues
-
Studentë të shkëlqyer, të cilët:
-
kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë me notë mesatare 10.00;
-
janë vlerësuar në secilin prej provimeve kombëtare të detyruara të maturës shtetërore me notë të shkallëzuar jo më pak se 9.5 deri në 10.00.
-
-
Studentë fitues të olimpiadave ndërkombëtare, të renditur në një nga tri çmimet e para në olimpiada me më shumë se 15 vende pjesëmarrëse, të pranuar në programe studimi të lidhura me fushën/disiplinën përkatëse.
-
Studentë që ndjekin programe studimi prioritare, të përcaktuara si prioritete kombëtare sipas VKM-së nr. 386/2022, të ndryshuar.
Pas përfundimit të verifikimeve përkatëse, studentët përfitues janë miratuar në përputhje me kriteret ligjore.
Përfitimet nga Mbështetja Financiare
Mbështetja Financiare për studentët përfitues përfshin:
-
bursën në masën e një page minimale mujore;
-
përjashtimin nga pagesa e tarifës vjetore të shkollimit, sipas përcaktimeve të VKM-së në fuqi.
Studentët përfitues do të njoftohen nga Drejtoria e Granteve e AKFAL për vijimin e procedurave dhe nënshkrimin e marrëveshjes trepalëshe. Institucionet publike të arsimit të lartë do të vijojnë bashkëpunimin për realizimin e hapave përkatës.
AKFAL mbetet e angazhuar në mbështetjen e ekselencës akademike dhe zhvillimin e arsimit të lartë, duke i uruar suksese të gjithë studentëve përfitues në vitin akademik 2025–2026.