Logo AKFAL
EN

Njoftime

None

NJOFTIM PËR SHPALLJEN E RENDITJES SË OFERTAVE TË PARAQITURA NGA BANKAT E NIVELIT TË DYTË, NË KUADËR TË SKEMËS SË KREDITIMIT STUDENTOR, PËR VITIN AKADEMIK 2026–2027

Në mbështetje të nenit 11, pika 1, germa “c”, të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”; të pikës 3, germa “c”, të VKM-së nr. 397, datë 03.05.2017, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL)”; të VKM-së nr. 440, datë 19.07.2023, “Për përcaktimin e skemës së kreditimit studentor”, të ndryshuar; të Njoftimit Publik nr. 216/2, datë 02.09.2026, “Për bankat e nivelit të dytë për të paraqitur oferta për normën e interesit të kredisë studentore”, si dhe të urdhrit nr. 28, datë 17.09.2026, të drejtorit të përgjithshëm të AKFAL-it, “Për ngritjen e komisionit të vlerësimit dhe renditjes së ofertave për normën e interesit të kredisë studentore, të paraqitura nga bankat e nivelit të dytë”, më datë 18.09.2026, ora 10:30, në ambientet e AKFAL-it u zhvillua procesi i hapjes, vlerësimit dhe renditjes së ofertave të paraqitura nga bankat e nivelit të dytë.

 

Në përfundim të procesit të vlerësimit, sipas kriterit të normës më të ulët të interesit të ofruar, renditja është si më poshtë:

 

1. Union Bank – normë efektive interesi 5,93%;

2. Tirana Bank – normë efektive interesi 8,96%.

 

Në përfundim të procesit, Union Bank është shpallur banka fituese për zbatimin e skemës së Kreditimit Studentor për vitin akademik 2026–2027.

 

Çfarë ofron Kredia Studentore?

Kredia Studentore është një mundësi financimi për studentët, e cila mund të mbulojë tarifën e studimeve dhe kostot e jetesës gjatë periudhës së studimeve.

Për ofertën fituese të Union Bank, norma vjetore fikse e interesit është 5,5%. AKFAL financon 5 pikë përqindje të normës së interesit, duke bërë që interesi që paguan studenti të jetë vetëm 0,5%.

 

Kredia studentore ofrohet pa kolateral fizik dhe norma e interesit mbetet fikse gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës. Shlyerja e detyrimeve financiare fillon jo më herët se përfundimi i kohëzgjatjes normale të programit të studimit, ndërsa studenti ka të drejtë të kryejë edhe shlyerje të parakohshme.